FB_IMG_1601541384737

Fabiola Prifti – Fituese e konkursit Ora e leximit

Fitueses se konkursit Ora e leximit
Falenderime te vecanta per shtepine botuese Fast Print, zonjën Semi Haxhiu qe si gjithmone eshte e gatshme te bashkepunoj dhe te na mbeshtes ne nisma tona per te nxjerr talente te reja…

Ju ftoj te lexoni parathenien e librit Jete ne leter.

Edhe pse koha e teknologjisë sot është mjaft e përparuar prap se prap nuk na e merr mundësinë e të lexuarit libra të kthyer në letër. Në çdo varg që lexoj mundohem të shoh mes rrjeshtave mesazhet që jepen në to, sidomos nëse ato vargje janë thurur nga krijues të rinj.
Është kënaqësi për mua të më besohet parathënia e poetes së re Fabiola Prifti e cila na vjen me vëllimin e saj poetik “Jetë në letër” ,titull ky që të bënë për vete sapo ta lexosh…
Autorja e re është e lindur në Fier në vitin 2000, ku mbaroi dhe shkollimin fillor dhe të mesëm për të vazhduar më tutje studimet në Tiranë për Administrim dhe politika sociale, degë kjo që edhe pse nuk ka të bëj me artin e shkruar, lejon autorën e re të përfshihet në aspekte sociale të jetës, duke marrë nga to siç bleta merr nektarin nga lulet për ti kthyer në vargje përjetimet njerëzore në të cilat kushdo do mund të gjente veten.
Autorja rrëfen se dashuria për librat dhe të lexuarit ishte gjithmonë pjesë e saj qysh në vegjëli, ndërsa sa i përket krijimtarisë thekson se nuk kishte besimin e mjaftueshëm në vete deri në moshën pesëmbëdhjet vjeçare kur një nga profesorët e saj insistoi që të merrte pjesë në një konkurs poezie organizuar nga shkolla ku dhe u radhit e dyta në garë pas të motrës.
Fabiola thotë se shkrimi tani është vetë jeta e saj ku shprehet “Shkruaj për të jetuar, dhe jetoj për të shkruar”.
Gjatë viteve ndoshta më të rëndësishme të jetës, në fazën e adoleshencës, aty ku kapërcen pragun e fëmijëris, atëherë ku fillon të njohësh më tepër veten, Fabiola njohu dhe dashurinë e saj për vargjet të cilat u rritën bashkë me të.
Në këtë vëllim ajo na servir poezi që janë të punuara mjaft bukur, duke qenë se vargjet kanë një shtrirje kohore që kur ajo është lidhur me shkrimin vendosi ta titulloj “Jetë në letër”. Poezitë e këtij vëllimi kryesisht bartin një mantel trishtimi, zhgënjimi, e dhimbje siç mund ti hasim dhe në vargjet,

Sot që kam ndjerë mjaft, di të flas për të
Ndaj nëse ime bijë ec’ në rrugët e mia
Kujtomë nënë ti them me të plotin zë
E bukur është bijë, por dhëmb dashuria’!

Vargje këto që dëshmojnë se edhe pse në moshë të re autorja është mjaft e aftë të na servir krijime njësoj siç mund të ishin shkruar nga një femër që bart vite mbi supe.
Në këtë vëllim po ashtu hasim një pakt premtimi që ajo u jep atyre që ndjekin dhe adhurojnë krijimtarinë e saj.

Do shkruaj sa jetë të kem, që kur të shtegëtoj
T’më humb imazhi e kujtimi, por pena të më rroj
E do të jem mbi lule unë, e kthyer në një flutur
E krahë do marr kur ju të thoni “ajo po, shkruante bukur”!

Është ky një “premtim” që ajo do jap më të mirën e saj për adhuruesit e artit të shkruar.

Në jetë gjithkush kemi provuar ndjenjën e të humburit të njerëzve tanë të dashur, dhe do vazhdojmë ta provojmë këtë ndjenjë çdo njëri nga ne sepse ky është ligji i natyrës. Marrëdhëniet nipër mbesa dhe gjyshër janë gjithmonë ato më të veçantat. Ndër vite kemi dëgjuar të thonë se nipërit dhe mbesat janë mjalti i mjaltit për gjyshërit, por çfarë janë për një mbesë mund ta kuptojmë në poezinë e Fabiolës dedikuar gjyshës së ndjerë për të cilën shpreh pendesën për kohën e humbur pa shfrytëzuar me të.

Si s’të pash pak më tepër!
Si s’të preka pak më shumë!
Tani u bëre mall i vjetër,
Ti në qiell, e në tokë unë.

Thuhet se në jetë çfarë do mbjellësh do të korrësh, është një fjalë e urtë që e hasim shumë shpesh, ndërsa autorja shprehet se atë çfarë do japësh në këtë botë do marrësh në botën tjetër, duke i thurur me mjeshtri vargjet e mrekullueshme,

Kur ta ndjesh ti qenien tënde
Të vrapojë në tjetër botë,
Do të lutesh thellë me ëndje
Por në qiell merr ç’dhe në tokë.

Pa diskutim se nuk mund të mungonin në këtë vëllim dhe dedikime marrëdhënies prind/fëmijë. Për fëmijët nuk mund të ketë mungesë më të madhe se ajo e prindërve, të rritesh me mungesën e tyre sigurisht që le mangësi brenda shpirtrave tanë, dhe një ditë kur vitet të kenë kaluar e vetmja që do donim është të jemi si ata…

“Jam rritur bab, jam bërë si ti”

Shprehet autorja në një nga poezit e saj, sepse sigurisht çdo prind mundohet të bëj më të mirën për fëmijët e tyre dhe shpesh për të arritur çdo gjë për ta janë të detyruar të mungojnë, duke mos e menduar se ndoshta më e mira për ta është koha e kaluar bashkë, dhe një fakt të tillë mund ta vëmë re mjaft mirë në fundin e kësaj poezie ku autorja sjell vargje kaq të bukura njëherësh dhe të dhimbshme ku thotë,

E prap ka netë që dot nuk fle
I shoh kujtimet drejtë e në sy
Ndër mend i kam bab, sikur dje
Sa shumë qirinjë kam fryrë pa ty.

Thonë se parajsë në tokë është gruaja, ajo që jep jetë nga jeta e vetë, ajo që është shtyllë në çdo familje ajo që është bekim si nënë, si motër, si mike etj etj, dhe si të tillë e trajton dhe Fabiola në vargjet e saj,

Më dëgjoi i urti Zot
U mendua pak më gjatë
E bekova tha këtë tokë
Me natyrën dhe me gratë.

Kur flasim për gruan dhe rolin e saj në këtë botë si nënë sigurisht nuk mund të mos e vësh re dhe vargjet e njërës nga poezit që unë përsonalisht e kam më për zemër që nga momenti i parë që e kam lexuar. Poezi kjo që nxorri Fabiolën fituese në konkursin Ora e leximit.
Nënat dhe këshillat e tyre gjithmonë mjaft të vyera ma i sjell autorja e re në mënyrë të përkryer në vargje…

Më kujtohen dy tri fjalë
Që mi thosh’ e gjora nënë
“Nuk takohen mal me mal,
e nuk puthen diell me hënë”.
* * *
Mirë e kish e mira nënë
Se jetoi në tjera ditë.
La pas fjalë për t’u thënë
“Po s’ka natë nuk troket ditë”.

E çfarë të thuhet më tepër për një vajzë kaq të talentuar e cila ndjen dhimbjen e të tjerëve njësoj si të ishte e saja, duke e sh’ndërruar në muzë për të krijuar vargje të mrekullueshme.
I uroj shumë suksese në rrugëtimin e saj dhe muzë të pashterrshme për shpirtin e saj artistik. Kënaqësi që isha pjesë e rrugëtimit të saj në konkursin Ora e leximit organizuar nga stafi i faqes në krye me redaktorin dhe poetin Bledi Ylli dhe shtëpia botuese Fast Print.

Liza Berisha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *